Bastisje në Shkup, ndalohet një person për posedim të drogës

MPB Maqedoni njofton se më 19.10.2024, zyrtarë policorë nga Njësia për Trafikim të Paligjshëm me Droga, në koordinim me SPB Shkup e kanë arrestuar personin M.L (27) nga Shkupi.

Gjatë kontrollit në banesën e tij, të kryer me vendim gjykate dhe ku është përdorur edhe një qen shërbimi, janë gjetur dhe konfiskuar dy pako me rreth 140 gramë amfetaminë.

Personi është ndaluar në stacionin policor dhe pas dokumentimit të plotë të rastit, SPB Shkup do të paraqesë kallëzim përkatës nga neni 215 i Kodit Penal.

Aktakuzë ndaj tre të punësuarve në NTP, përvetësuan mbi 375 mijë euro nga manipulimet me biletat

Prokuroria Themelore Publike ka dorëzuar akt prokurir ndaj tre të punësuarve në Ndërmarrjen e Transportit Publik Shkup, pasi në cilësinë e personave përgjegjës, prej dhjetorit të vitit 2018 deri në gusht të vitit 2021, kanë shpërdoruar mbi 370 mijë euro.

Sipas Prokurorisë, dy prej të akuzuarave, përndryshe shitëse të biletave në qytet, kanë dorëzuar në NQP më pak para se sa mjetet e grumbulluara.

Nga ana tjetër, e akuzuara e tretë, si kontabiliste në Departamentin në Sektorin për Operacione Financiare në NQP, edhe pse e ka ditur se shitëset kanë dorëzuar më pak para, ajo i ka korrigjuar të dhënat me qëllim që të mund të justifikojë dhe mbulojë paratë e papaguara nga qarkullimi ditor.

Prokuroria propozoi që të akuzuarave t’u caktohen masa kujdesi, gjegjësisht paraqitje në kohë të caktuar në gjykatë dhe marrje të dokumentit të udhëtimit.

Banorët e ndërtesës që u përfshi nga zjarri në Çair ende nuk janë kthyer në banesat e tyre

Rreth 600 banorë të objektit, bodrumi i të cilit u përfshi nga zjarri në Çair të Shkupit, edhe pas 21 ditësh vazhdojnë të presin përgjigje se kur do të mund të hyjnë në banesat e tyre.

Banorët akomodohen përkohësisht në banesat e familjarëve të tyre ose në hotele në Shkup. Forcat e policisë qëndrojnë në hyrje të godinës dhe nuk lejojnë banorët të futen brenda, pasi ende po vazhdojnë hetimet, ndërsa sipas prokurorisë ende nuk ka detaje se çfarë e shkaktoi zjarrin në këtë objekt.

Sipas prokurorisë, hetimet janë kryer dje në bodrumin e këtij pallati, ku dyshohet se ka shpërthyer zjarri, por ende nuk ka detaje për shkaqet e zjarrit, i cili la mbi 600 banorë të këtij pallati në rrugë.

Bashkia e Shkupit për transportin publik: Interesat partiake janë taktikë e shumicës në Këshill

Bashkia e Shkupit ka dalë me reagim pas konferencës së djeshme për media të transportuesve privatë, të cilët thanë se do ta ndërpresin qarkullimin.

Nga Bashkia thonë se “është evidente se politika joparimore, interesat personale dhe prioritetet partiake janë ende taktika e shumicës në Këshillin e Qytetit të Shkupit të udhëhequr nga koalicioni OBRM-PDUKM”.

“Transportuesit privatë kanë reduktuar qarkullimin për shkak të revoltës për mosshqyrtimin e iniciativës së tyre, për të cilën mund të debatohet dhe të vendosë vetëm Këshilli i Qytetit të Shkupit. Ata para disa muajsh i kanë dorëzuar kryetarit të Këshillit të Qytetit të Shkupit, Trajko Sllaveski, një kërkesë, e cila sipas Rregullores së Këshillit të Qytetit të Shkupit, është dashur të shqyrtohet menjëherë pa vonesë nga këshilltarët në Këshill”.

Bashkia e Shkupit: Edhe përkundër bllokimeve në Këshill, realizojmë projekte kapitale për të mirën e qytetarëve

Bashkia e Shkupit në një kumtesë për media thekson se edhe përkundër të gjitha bllokimeve në Këshillin e Qytetit të Shkupit, kanë investuar dhe realizuar një numër të madh të projekteve kapitale që në thelb do ta ndryshojnë lëvizjen dhe jetën në kryeqytet për të mirë.

“Një projekt i tillë është ndërtimi i Bulevardit të Lubjanës, faza e parë e të cilit është në përfundim e sipër, duke përfshirë ndërtimin e infrastrukturës nëntokësore. Sipas projektit bëhet fjalë për zgjidhje të re bulevardi me lidhjen e një ure të re në lumin Vardar të tipit të ashtuquajtur “extradoset bridge”.

“Kjo zgjidhje e trafikut do të lehtësojë lëvizjen e qytetarëve të Komunës së Karposhit duke i lidhur direkt me rrugën Skupi. Një zgjidhje e tillë jo vetëm që do të shkurtojë kohën e udhëtimit, por edhe do të reduktojë ndjeshëm bllokimet e trafikut në këtë pjesë të qytetit. Në këtë lëvizje, përveç zgjidhjes së bulevardit, po ndërtohet edhe një shteg i ri për biçikleta dhe këmbësorë me rregullim të përshtatshëm përdhes”, thuhet në njoftim.

Prokuroria kërkon paraburgim për një të mitur, dyshohet për dhunë

Prokurori publik nga Prokuroria Themelore Publike Shkup, deri te gjyqtari për fëmijë në Gjykatën Themelore Penale – Shkup, ka dorëzuar kërkesë për fillimin e procedurës përgatitore ndaj një të mituri, i lindur në vitin 2009, për të cilin ka dyshime të bazuara se ka kryer vepra që me ligj konsiderohen si krim – “Dhunë”.

“Më 25 tetor, i mituri së bashku me persona të tjerë të panjohur kanë nisur një bisedë me një të mitur, por menjëherë pas kësaj, pa ndonjë arsye të caktuar, kanë nisur ta godasin me sende të forta. Në konflikt me ligjin, i mituri ka nxjerrë një thikë dhe ka goditur viktimën në kofshë”.

“Më 13 nëntor, në autobusin e NTP Shkup, në grup me tre persona të tjerë të panjohur, ka kryer dhunë të rëndë dhe ka shkaktuar lëndime fizike – ka goditur me thikë në kokë një 15-vjeçar, duke bërë që pasagjerët e tjerë të ndjehen të pasigurt, të kërcënuar dhe në frikë”.

Protesta në Shkup për shkak të problemeve me transportin publik

Para zyrave të Bashkisë së Shkupit sot pasdite po mbahet protestë për shkak të gjendjes së transportit publik dhe mungesës së autobusëve në kryeqytet.

Para Bashkisë pakënaqësinë e shprehën banorët e Shuto Orizares të organizuar nga kryetari Kurto Dudush, Sindikata e nxënësve të shkollave të mesme të Republikës së Maqedonisë së Veriut, ndërsa studentët nga Universiteti “Kirili dhe Metodi” dolën me kërkesë për normalizim të transportit publik.

Autobusët në Shkup nuk qarkulluan për dy ditë për shkak se Ndërmarrja Transportuese Publike (NTP) Shkup nuk kishte naftë. Kishte vetëm 25 autobusë të cilët funksiononin me gaz.

Situata u tejkalua pasi Qeveria mori vendim që t’i huazojë naftë NTP-së nga rezervat shtetërore./Telegrafi/