Analizimi i një udhëtimi

Për ta mësuar lumturinë e vërtetë, këtë herë shkuam në kohën e lumturisë, pra në kohën e të Dërguarit të Allahut (s.a.s.). Para na doli tregimi i një udhëtimi të bekuar. Mësimet rreth familjes, i patëm marrë nga krijesat, nga ajetet e Kuranit dhe nga vëllezërit e Jusufit (a.s.). Ndërsa tani, do të mundohemi ta marrim mësimin tonë duke i bërë një analizë udhëtimit të bekuar.

Një rrugë, dy udhëtarë dhe një udhëtim i vështirë. Pas kishin armikun, ndërsa përpara një rrugë të gjatë. Mbi supet e tyre rëndonte lodhja e një udhëtimi të gjatë. Një moment, vendosën të pushonin. Gjetën një vend. Njëri prej udhëtarëve hyri i pari në shpellë, në mënyrë që tjetrit të mos i ndodhte ndonjë gjë e keqe. E pastroi vendin brenda. I mbylli të gjitha vrimat, në mënyrë që të dashurin e tij të mos e dëmtonte ndonjë gjë. Ndërsa vrimën e fundit e mbylli me dorën e tij, ngaqë nuk kishte gjë tjetër për ta mbyllur. Të gjithë e dini këtë udhëtim dhe i njihni udhëtarët e bekuar të këtij udhëtimi. Njëri është më i dashuri, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) dhe tjetri është i dashuri i më të dashurit, Ebu Bekri (r.a.).

Tani le të flasim për njërën prej historive që vazhdimisht e shohim rreth nesh. Një rrugë, dy udhëtarë dhe një udhëtim i vështirë. Prapa kishin barrën që ua patën ngarkuar vitet në supet e tyre dhe gjallërinë e rinisë. Ata vendosin për ta vazhduar rrugën bashkë për ta hedhur nga supet e tyre qoftë edhe pak lodhjen që ua kishin dhënë vitet, për të arritur prehjen… Rruga është e gjatë dhe e lodhshme. E mbushur me pengesa dhe gropa. Të ecurit bashkë, kërkon sakrificë.

Dy udhëtime që i ngjajë shumë njëri-tjetrit. Vetëm koha dhe njerëzit janë të ndryshëm. Dy njerëz që e duan njëri-tjetrin. Një udhëtim i gjatë dhe i vështirë. I dashuri i më të dashurit, Ebu Bekri (r.a.), na jep një mësim që prej shekujsh. Sigurisht se për ata që kanë vendosur të ecin bashkë në rrugë dhe që e duan njëri-tjetrin…

Tani është koha e mësimit.

Ebu Bekri (r.a.), kaloi një hap përpara Tij, në mënyrë që të mos dëmtohej i dashuri. Pastaj u përpoq t’i mbyllte të gjitha vrimat nga të cilat mund të dëmtohej Ai. Kur nuk gjeti gjë tjetër për t’i mbyllur vrimat, trupin dhe qenien e tij e bëri mburojë për të dashurin. Me këtë histori, që prej shekujsh, na është treguar se si duhet të sillemi ndaj të dashurit tonë.

Po ne, a i kemi mbyllur vrimat nga të cilat mund të dëmtohet i dashuri ynë? A e kemi sakrifikuar veten, në mënyrë që ai të mos dëmtohet? A u kemi rezistuar dot gjarpërinjve që kafshojnë, vetëm e vetëm që ai të jetë mirë?

Udhëtimi është i gjatë dhe i vështirë, por nëse e keni gjetur Ebu Bekrin tuaj, udhëtimi është po aq i bukur dhe i sigurt.

Të gjesh Ebu Bekrin tënd…

Të jesh Ebu Bekër…

Sa e vështirë, apo jo?

Murat Akgyn